PD- Tahirit: Kamera kishte edhe tek vrasja e Santos, por ende pa autor

  • 9 years ago
TIRANË - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri është kundërshtuar nga demokratët në Komisionin e Sigurisë, teksa prezantoi projektligjin për masat shtesë të sigurisë publike.

Sipas ministrit, është e domosdoshme që veç punës së policisë së Shtetit në parandalimin e krimeve, të ketë sensibilizim edhe nga ana e qytetarëve dhe bizneseve duke u pajisur me masa shtesë, siç janë edhe kamerat e sigurisë që parashikon projektligji.

Por deputetët e opozitës në këtë komision thanë se ligji është tregues se rendi ka dështuar dhe se parandalimi i ngjarjeve kriminale është në nivelin zero. Sipas tyre, vendosja e kamerave të sigurisë nuk është zgjidhje, pasi edhe në rastet e vrasjes së bankierit Artan Santo, grabitjen e një banke tek Stacioni i Trenit, apo rrëmbimin e Enver Stafukës, filmimi që ju bë autorëve nga kamerat ende nuk ka çuar në zbulimin dhe arrestimin e tyre nga ana e policisë.

Por pavarësisht kritikave, deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani votoi pro projektligjit, ndërsa Aqif Rakipi nga PDIU-ja votoi kundër draftit i cili u kaloi në parim në këtë komision parlamentar.

Recommended