Report TV - Vrasja e Kërtushës, Prokuroria: U qëllua kur donte të ikte me taksi

  • 8 years ago
Prokuroria e Durrësit ka zbardhur plotësisht ngjarjen kriminale ku mbeti i vrasrë Asllan Kërtusha. Për autorët e këtij krimi është ngritur akuza e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim ndërkohë që është kërkuar dhënia e masës së sigurisë arrest me burg për Gëzim Kajnon, i cili është personi që ekzekutoi Kërtushën si dhe për nipin e tij Bledar Kajno. Nga hetimet rezultoi se viktima, mesditën e datës 01 mars, ka qenë duke konsumuar pije alkolike në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno.

Rreth pasdites, në gjendje të rënduar për shkak të alkolit, ai ka nisur të fyejë dhe ofendojë kamarierët e lokalit, të cilët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajno. Ky i fundit është afruar në lokal, së bashku me nipin e tij, Bledar Kajno dhe kanë tentuar ta qetësojmë shtetasin Kërtusha, i cili gjendej në ambjentet e brendshme të lokalit. Pasi kanë diskutuar së bashku në tavolinë, Kërtusha dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, kanë dalë në ambjentet e jashtme të lokalit, ku kanë filluar të grinden fizikisht. Kjo situatë është fiksuar edhe në kamerat e sigurisë së lokalit.

Nga kqyrja e pamjeve filmike duket shtetasi Gëzim Kajno që, pas konfilktit fizik, ka një armë tip pistoletë në dorë, me qytën e së cilës godet në kokë dhe në fytyrë Kërtushën.

Nga goditja me qytë, pistoleta ka kryer qitje, nga e cila ka mbetur i plagosur në krah nipi i Gëzimit, Bledar Kajno. Në këtë moment konflikti shmanget nga objektivi i kamerës. Në një moment të dytë, personat në konflikt shfaqen sërish në kameran e sigurisë, kësaj radhe pranë një taksie, ku Kërtusha po tentonte të hipte dhe duket që ishte i plagosur.

Tek dera e taksisë, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno e arrijnë dhe e godasin sërish, duke tentuar ta nxjerrin nga taksia. Megjithatë, taksia është nisur së bashku me Kërtushën drejt spitalit të Durrësit, ku ka mbërritur i vdekur me një plumb në pjesën e kraharorit.

Recommended