Kotzias, 180 minuta “koke me koke” me Bushatin

  • 6 years ago
Për plot 180 minuta, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim me homologun grek Nikos Kociaz, i cili vjen në Tiranë plot dy javë pasi Presidenti Meta firmosi autorizimin për nisjen e negociatave mes dy vendeve.

Takimi mes Bushatit dhe Kociaz është zhvilluar kokë më kokë, por sipas njoftimit zyrtar ai kaloi në një klimë pozitive dhe bashkëpunuese, ku është folur për rezultatet e arritura deri tani nga bisedimet dy palëshe, si dhe për hapat e mëtejshme që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm, në funksion të avancimit të procesit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mirëpranuara për çështjet ende në diskutim.

Në njoftim thuhet se ata i kushtuan një vëmendje të posaçme punës në proces për finalizimin e Dokumentit të Partneritetit Strategjik, në përputhje me vullnetin e palëve për të forcuar përmasat europiane të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Vetë Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë një deklarate për mediat, bërë përpara takimit me Kociaz-in tha se është bërë progres dhe pritet që rezultate konkrete të ketë javët e ardhshme, për çështje të cilat kanë gjetur dakordësinë e të dyja palëve.
Po pavarësisht se pas lëshimit të autorizimit dhe Ministri i Jashtëm Bushati ka lëshuar plotfuqishmërinë, ende nuk ka një datë zyrtare për nisjen e negociatave për marrëveshjen e detit.

Edhe pas takimit të kësaj të enjteje mes 2 ministrave, mbetet pa një datë konkrete vizita zyrtare e Kryeministrit Aleksis Cipras, e paralajmëruar se do të zhvillohej në muajin Prill.

Gazeta greke ?Kathimerini? raportoi se edhe vizita e Kryeministrit Cipras, e planifikuar të zhvillohej në Korçë në datën 8 Prill për Pashkët Ortodokse është shtyrë dhe shtyrja lidhet drejtpërdrejtë me ndasitë që kanë Athina dhe Tirana në bisedimet për çështjen e detit.

Tv Klan

Recommended