Report Tv-'Xhisiela', Meta: Nuhun s’e besova, askush të mos mbrohet

  • 6 years ago
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për rastin e Xhisiela Malokut pas denoncimit të ish-oficerit Nuhu, që më pas u arratis duke kërkuar azil në Zvicër. Kreu i shtetit tha gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, se Nuhu e kishte vendosur në dijeni përmes një letre, por shtoi se nuk e besonte që do të ndodhnin ato gjëra. Presidenti kërkon që të mos mbrohet askush, por bën edhe një apel për opozitën që të mos teprohet me akuza politike. Gjithashtu ai kërkoi nga prokuroria dhe policia sqarim të paanshëm të odisesë.

Së pari ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë e thellë dhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe dhe bëhet pjesë e debatit. Kështu që duhet të theksoj se unë personalisht, edhe në pozitën e Presidentit jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë që përsa kohë do të jem në këtë pozitë, nuk do të favorizoj dhe nuk do të konfirmoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj se edhe Parlamenti dhe qeveria mbajnë të njëjtin angazhim, që të dekurajojnë cilindo që mendon se mund përfitojë në të ardhmen, pavarësisht nga dhuna e nga krimi që kryen.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën unë kam marrë një letër, që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm.

Siç e thatë edhe ju, është për fat të keq, që ka një polarizim në këtë çështje ku mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona, të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht pa e tepruar me akuza politike, duke pasur në konsideratë që është një çështje që krijon ndjeshmëri.

Recommended