Degjeneron ne dhune protesta e banoreve te Unazes se Re

  • 6 years ago
Kjo punonjëse e policisë humbi gishtat e njërës dorë nga një prej kapsollave që protestuesit e Unazës së Re hodhën në drejtim të forcave të rendit para parlamentit. Protesta e kësaj të enjteje e banorëve të zonës së Astirit degjeneroi në dhunë këtë të enjte.

Disa herë protestuesit janë përleshur me policinë pasi kanë tentuar të çajnë me forcë gardhin e forcave të rendit. 12 punonjës të policisë kanë mbetur të plagosur, 2 në gjendje më të rëndë. Efektivët e plagosur u dërguan me autoambulancë  në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Të plagosur kanë mbetur edhe 3 protestues. Banorët janë mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike.

Policia njoftoi se  11 protestues janë arrestuar të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje, goditje për shkak të detyrës, protestë të paligjshme dhe prishje të rendit.  Njëri prej protestuesve u ndalua në ambientet e Spitalit të Traumës.

Menjëherë pas ngjarjes reagoi ministri i Brendshëm i dekretuar, Sandër Lleshaj, që pasi vizitoi policët e plagosur tha se dhuna është e papranueshme.

?Është për të ardhur keq, është e papranueshme, është e pakuptueshme, që në një ditë të tillë, krejt normale, të na ndodhi një ngjarje anormale, të goditet Policia e Shtetit në krye të detyrës. Konstatojmë për fat të keq, se ajo sot është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët në shkelje të plotë të ligjit, ngrenë dorën mbi Policinë e Shtetit. Po ashtu Policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë, të cilët po ashtu në kushtet e papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike, inspirojnë dhunë ndaj forcave të Policisë së Shtetit?, tha Sandër Lleshaj, zv/Ministër i Brendshëm.

Edhe kreu i qeverisë Edi Rama, përmes një postimi në Twitter tha se dhuna ndaj forcave të rendit në emër të paligjshmërisë nuk do të tolerohet. Rama u bëri thirrje banorëve me dokumente të rregullta të distancohen nga ata që i quajti zaptues profesionistë dhe profesionistët e politikës qorre të shpifjeve e të rrëmujës! Ndërsa qytetarët e lënduar në protestë u vizituan në spital edhe nga deputetët e opozitës.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për protestën. Një grup i posaçëm ka mbledhur prova në vendin e ngjarjes ndërsa ka marrë edhe dëshmitë e policëve dhe personave të lënduar.

Tv Klan

Recommended