Skandali i DH Albania, nis pyetja e zyrtareve

  • 6 years ago
Pas kqyrjes së dokumentave të ardhura nga institucionet për dy tenderat që kompania DH Albania fitoi me dokumente të falsifikuara, ka nisur marrja në pyetje e zyrtarëve të cilët janë marrë me këto procedura. Këtë të hënë është pyetur në Prokurori, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Operatorin e Sistemit të Transmetimit, institucion nga i cili DH Albania fitoi tenderin 12  milionë Euro për ndërtimin e linjës së Interkonjeskionit Burrel- Peshkopi.

Pesë zyrtarët kanë dhënë sqarime në lidhje me dokumentacionin e paraqitur online nga kjo firmë me përfaqësues 26- vjeçarin, Avdjol Dobi. Ata kanë sqaruar se nuk kanë vënë re ndonjë parregullsi në dokumentacionin e paraqitur, duke sqaruar se kompania plotësonte kushtet për të qenë fituese e tenderit. Por, menjëherë, pasi skandali u bë publik në media, OST anuloi pagesat fillestare që kishte bërë ndaj DH Albania, duke shmangur kështu dëmin financiar.

Në ditët në vijim Prokuroria do vazhdojë të marrë dëshmi të reja për këtë skandal, pasi po me dokumente të falsifikuara kjo firmë fitoi edhe tenderin e ndërtimit të lotit të parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë Euro. Para hetuesve do jenë dhe zyrtarë të Autoriteti Rrugor dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në këtë institucion.

Gjithashtu sqarime do të japin dhe operatorët ekonomikë që janë përshirë në tenderimin e këtyre projekteve. Ndërsa përfaqësuesi i DH Albania, Avdjol Dobi ende nuk është gjetur nga Prokuroria edhe pse është thirrur tre herë. DH Albania ka falsifikuar 4 dokumente  zyrtare të shtetit të Delawerit atje ku është themeluar kompania mëmë e saj Dunwell Huberman.

Firma e Sekretarit të Shtetit të Delawerit, bilancet e kompanisë, data e themelimit dhe të dhënat e një noterie në Delaware janë të manipuluara. Përveç falsifikimit, Prokuroria është duke hetuar edhe për shkeljen e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Tv Klan

Recommended