Report TV - Rama: Kush organizon bixhoz, vë zjarre dhe bllokon rrugë do shkojë në burg

  • 5 years ago
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet në lidhje me një sërë veprash penale, që edhe pse të konsideruera të tilla edhe në ligjet aktuale, nuk janë zbatuar.

Nga Librazhdi, gjatë turit "Bashkia që Duam" në Librazhd, kreu i qeverisë paralajmëroi burg për këdo që organizon në lokale lojërat e fatit online. Qeveria shqiptare ka nisur tanimë një aksion për mbylljen e lojërave të fatit, dhe shumë persona të cilët kanë shkelur ligjin duke mos mbyllur lojërat e fatit, janë arrestuar, por pa marrë ndëshkimin e duhur.

Do të merren të gjitha masat për të rënduar dënimet për lokalet që praktikojnë ende lojërat online tha Rama.

"E di që fillon akoma online dhe ka ardhur koha për masa të reja. Kush organizon bixhoz për të tjerët do të shkojë në burg", tha kreu i qeverisë.

Ndëshkime të ashpra do të ketë edhe për krimet mjedisore. Ndezja e zjarreve që së fundi po bëhet problem me vatra që shpesh janë të qëllimshme, do të ndëshkohet me sanksione të reja.

Po ashtu, një tjetër ndryshim që Rama paralajmëroi, ishte ai për bllokimin e rrugëve. Do të ketë ndëshkime për të gjithë ata që për arsye të ndryshme bllokojnë rrugën. Një situatë e ngjashme po ndodh me banorët e zonës së "Astirit" të cilët protestojnë prej muajsh, në mbrojtje të shtëpive të tyre kundër projektit të Unazës së Madhe, dhe që për një orë bllokojnë çdo ditë rrugën në zonën e Unazës së Re. Aktualisht ka një ligj që e ndalon bllokimin e rrugëve, por Rama theksoi se ndëshkimi për këtë kundravajtje penale - do të bëhet më i qartë.

Recommended