Rama per “Die Welt”: Negociatat, Brukseli i paparashikueshem

  • 5 years ago
Pritshmëritë e qeverisë për hapjen e negociatave janë brenda qershorit ose në vjeshtën e këtij viti bazuar në rekomandimin e Komisionit, por kryeministri Rama thotë se problemet e brendshme e kanë bërë Brukselin të mos japë një datë konkrete për këtë proces.

?Është e pamundur tashmë që të parashikosh çfarëdo gjëje rreth asaj që Bashkimi Europian do të bëjë më tej. Ky është një problem brenda familjes dhe parashikueshmëria është gjëja e fundit që mund të kërkojmë. Ndaj është e rëndësishme që pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se që prej vitit të kaluar, konsiderohemi nga Komisioni Europian se jemi tanimë gati për hapjen e negociatave.?

I pyetur nëse kjo situatë ka dekurajuar qeverinë shqiptare dhe atë personalisht, Rama thotë se Shqipëria nuk është trajtuar si vendet e tjera në këtë proces.

?Tani, edhe holandezët, të cilët janë skeptikë, kanë thënë që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Ne kemi kaluar të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në sitën e një procesi shumë të vështirë vetingu dhe po pastrojmë sistemin në një mënyrë që asnjë vend tjetër negociues nuk e ka bërë më parë. Kjo është bukuria dhe çudia e këtij procesi, sepse ndërsa duhet ende të hapim negociatat, kemi realizuar gjëra që vendet negociuese duhet ende t?i realizojnë.?

Nëse ka një ide të gabuar për Shqipërinë në botë, kjo sipas kryeministrit Rama lidhet me gazetarët dhe jo me përshtypjet e atyre që vizitojnë Shqipërinë. Në një intervistë për gazetën gjermane ?Die Welt?, kreu i qeverisë thotë se vendi ka bërë progres edhe në çështjen e imazhit.

?Gjithmonë e më shumë njerëz po vijnë në Shqipëri dhe po kuptojnë që vendi ynë është tërësisht i ndryshëm nga përgjithësimet negative që mund të kenë besuar. Kjo ide do të përhapet, por në të njëjtën kohë, dembelizmi gazetaresk është një karakteristikë e kohëve tona. Për një gazetar dembel nuk mund të presësh lajme të mira, por vetëm lajme të këqija, sepse pa dyshim ato shesin më shumë.?

Rama vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe rolin e kancelares Merkel në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e quajtur atë një kampione të papërsëritshme.

Tv Klan

Recommended