RTV Ora - Burimi: Rama i gatshëm të prishet me perëndimin vetëm për të vazhduar rrugën e tij

  • 4 years ago
#tvora #rtvoranews


Në seancën e fundit parlamentare, mazhoranca kaloi me një numër të lartë votash, 106 pro dhe vetëm 6 kundër, ndryshimet kushtetuese përsa i përket reformës zgjedhore.

Këto ndryshime u kritikuan shumë brenda vendit tonë nga opozita jashtëparlamentare duke i cilësuar si të njëanshme dhe që djegin marrëveshjen e 5 qershorit.

Kritika ka pasur dhe nga ndërkombëtarët, ku zëdhënësi i PPE, eurodeputeti Michael Gahler i cili u shpreh se ndryshimet duhet të ishin bërë në konsensus të plotë dhe se ato dëmtojnë dhe aspiratën e Shqipërisë në BE.

Në replikë me të ishte dhe ministrja Elisa Spiropali duke i thënë se ?Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel?.

Për analistin Genc Burimi, deklarata të tilla ndaj ndërkombëtarëve sidomos ndaj një eurodeputeti janë të turpshme.

Në një intervistë për RTV Ora, Burimi thotë se kur Shqipëria të kërkojë hapjen e negociatave me BE, eurodeputetët do të kenë fjalën e tyre, duke e lënë të kuptohet se ato do të shpalosin kritika ndaj vendit tonë.

Burimi: Unë kam një pamje më të përgjithshme se ajo e 5 qershorit. Nuk mund të prekësh Kushtetutën kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese sidomos 1 vit para zgjedhjeve. Një situatë kaq të jashtëzakonshme që ka Shqipëria pa gjykata, nuk mund ta bësh atë pa një referendum popullor. Vetëm e vetëm për të ndaluar koalicionet parazgjedhore. Edhe deklarata e Spiropalit ndaj zëdhënësit të grupit të PPE në Parlamentin Europian për mua ishte e turpshme. Ai është eurodeputet dhe grupi i tij ka një shumicë parlamentare në PE. Dhe kur Shqipëria të kërkojë hyrjen apo hapjen e negociatave, eurodeputetët do të kenë fjalën e tyre për të thënë. Që të bësh një deklaratë të tillë nga qeveria Rama, që ata mos të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Shqipërisë pasi ne kemi Parlamentin tonë është e turpshme. Kur ne që nuk jemi në BE dhe bëjmë deklarata të tilla, imagjino nëse futemi në Europë se çfarë mund të bëjmë.

Burimi thotë se deklarata të tilla ndaj ndërkombëtarëve nuk bëheshin as në kohën e Enver Hoxhës. Sipas tij, kjo justifikohet vetëm me faktin se Edi Rama ka frikë nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme dhe dëshiron të bëjë gjithçka për të mbajtur sërish pushtetin e tij.

Burimi: Eurodeputetët tani jam me pushime por besoj se do të ketë një deklaratë të fortë. Edhe në kohën e Ever Hoxhës nuk bëheshin këto deklarata. Iu tha që mos ndërhyni në punët e brendshme të Shqipërisë. Si ka mundësi që Shqipëria varet kaq shumë nga perëndimi dhe të bëjë një deklaratë të tillë. Kjo justifikohet vetëm me një gjë, nga frika që Edi Rama mund të humbasë zgjedhjet dhe ai preferon edhe të prishet me Perëndimin se sa të heqë dorë nga rruga që ka zgjedhur. Edi Rama kërkon ta ketë sërish tepsinë e vetme. Prishja e koalicioneve parazgjedhore mes dy partive të opozitës, PD-LSI, ja rrit shancet. Duke prishur marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.



Për më shumë lexoni në: https://www.oranews.tv/replikat-spiropali-...

Recommended