Ahmeti: Emri kërkon konsensus politik dhe etnik

  • 9 years ago
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti pret rezultate nga raundi i ri i bisedimeve për emrin që po zhvillohen sot dhe nesër në Nju Jork. Ahmeti paralajmëroi shtimin në të ardhmen, të iniciativave dhe aktiviteteve ndërkombëtare, me synimin e gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi. Kreu i BDI-sa tha se emri kërkon konsensus etnik dhe politik, ndaj të gjitha forcat politike në vend duhet t'i qasen çështjes me përgjegjësi duke lënë mënjanë emocionet.

"Të gjitha forcat progresive ndërkombëtare janë të angazhuara për të ndihmuar palët dhe për të ulur tensionet... të angazhohemi në kërkim të zgjidhjes drejt kompromisit...Çështja e emrit kërkon konsensus politik dhe etnik dhe kjo na bën më të ndërgjegjshëm, më të përgjegjshëm. Ju të gjithë jeni dëshmitarë se para 7-8 vjetësh, vetë partneri që bashkëqeverisim sot, organizoi referendum kundër ndarjes territoriale. Mirëpo, një gjë e tillë nuk mund të rikthehet pas, sepse kërkon konsensus etnik. Ne jemi të përgjegjshëm se çështja e emrit, çështja e kompromisit kërkon konsensus etnik dhe duhet të jemi të dobishëm, pa emocione, larg emocioneve por drejt kërkimit të zgjidhjes dhe mbylljes së problemit", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Por kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, kritikoi partitë në pushtet VMRO DPMNE dhe BDI-në për mungesë qasjeje serioze ndaj çështjes së emrit. Ai tha se pushteti shpesh here krijon shpresa të rrejshme por prapë se prapë nuk synon zgjidhjen e problemit.

"Pengesa apo bllokada në procesin integrues le që është e rëndë por ndal ngadalë po krijon një situatë pa shpresë. Të gjithë mundohemi të gjejmë një rrugëdalje dhe shpresë të vogël megjithatë këto mungojnë. Në pengon shumë qasja joserioze e qeverisë qoftë e VMRO-së apo BDI-së të cilët mundohen të japin shpresa të rrejshme. Duke pasur parasysh se ata aspak nuk dëgjojnë se Sekretari i përgjithshëm i NATO-së në Athinë tha se IRJM-ja nuk do të mund të ecë përpara në procesin integrues përderisa nuk e ndryshon emrin", u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Sot ndërmjetësi Nimic në Nju Jork po zhvillon takime të ndara me negociatorët Jolevski dhe Vasilaqis, ndërsa nesër pritet që të dyja palët të ulen në tryezë të përbashkët për të ballafaquar argumentet. Semra Jakupi

Recommended